Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, pas disa muaj hetimesh pro-aktive, finaluzuan operacionin “Mashtruesit”, duke bërë të mundur ekzekutimet e vendimeve të arrestit për:
– K.Xh., 29 vjeç, me profesion Avokat, nga Fieri;
– Nën/Komisar M.H., 32 vjeç, me detyrë Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Fier;
– Nën/Komisar E.M., 34 vjeç, me detyrë Specialist i Krimeve, pranë Komisariatit të Policisë Fier.
Punonjësit e policisë u arrestuan pasi duke qenë në detyrën e specialistit të Krimeve dhe të OPGJ-së në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim edhe me shtetasin K.Xh., avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonin presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.
Në këto kushte, arrestimi u bë për veprat penale “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre, në bashkëpunim”.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat si dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bën thirrje qytetarëve, të cilët janë bërë pre e kësaj skeme mashtrimi nga këta shtetas, që të depozitojnë kallëzimet e tyre pranë dy institucioneve SHÇBA dhe Prokurori.
Hetimet lidhur me këtë rast vazhdojnë deri në zbardhjen e të gjithë ngjarjes.