SHÇBA arreston 1 punonjës policie për “Kultivim të bimëve narkotike”.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), kreu ekzekutimin e Vendimit Penal Nr. 154 datë 14.07.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg“ për punonjësin e policisë Inspektor H. P., 52 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, me detyrë patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë.
 
Gjatë hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP-Durrës, në funksion të Procedimit penal Nr. 224/2019,  ku disa shtetas dyshoheshin për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal, ishin përftuar interceptime telefonike me interes për hetimin, mes subjekteve dhe punonjësit të policisë Inspektor H. P.
 
Pas marrjes dijeni mbi këto rrethana, SHÇBA ka kontaktuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe mori përgjegjësitë për kryerjen e veprimeve hetimore në funksion të sqarimit të rrethanave të faktit dhe përcaktimin e rolit konkret të punonjësit të policisë në këtë veprimtari të kundraligjshme. 

Në përfundim të hetimeve paraprake dhe një analize me Prokurorin e çështjes, u konkludua në kërkesën për caktim mase të sigurisë për këtë punonjës policie.
 
Në zbatim të Vendimit penal Nr. 154 datë 14.07.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, SHÇBA kreu ekzekutimin e vendimit sipas Urdhërit të Prokurorit për:
 
➢ H. P. 52 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, me detyrë patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal.
 
 
Hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive lidhur me këtë çështje.