SHÇBA zhvillon fushatë sensibilizuese në Qarkun Lezhë

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka zhvilluar në Qarkun Lezhë disa aktivitete promovuese duke u fokusuar në informimin e publikut rreth objektit të veprimtarisë së institucionit, në kuadër të fushatës promovuese që Shërbimi ka ndërmarrë në disa qarqe të vendit.

Specialistët nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat zhvilluan një takim me stafin drejtues të Prefekturës Lezhë, ku u diskutua për një rritje të bashkëpunimit mes të dyja institucioneve sa i përket informimit të qytetarëve në nivel lokal rreth aktivitetit të Shërbimit, si edhe delegimit të ankesave që lidhen me strukturat që janë objekt i veprimtarisë së SHÇBA-së.

Një takim informal u zhvillua gjithashtu edhe me drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si edhe me qytetarë të ndryshëm në Zyrën e Pritjes së Qytetarëve, ku u shpërndanë materiale informuese dhe kartvizita.

Më pas, përfaqësuesit e SHÇBA-së zhvilluan një takim me nxënës të maturës në shkollën e mesme “Hydajet Lezha”. Pasi ju bë një paraqitje e historikut, objektit të veprimtarisë së Shërbimit, si edhe mjeteve të ndryshme të komunikimit që janë vënë në dispozicion të publikut për çdo ankesë që mund të kenë lidhur me strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe shërbimit Zjarrfikës, u shpërndanë edhe materialet informuese përkatëse.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të vijojë fushatën promovuese në qarqet e Durrësit dhe Tiranës.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët që për çdo abuzim dhe shkelje të ligjit, apo sjellje të pahijshme nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo shërbimit Zjarrfikës të kontaktojnë Zyrën e Ankesave të SHÇBA-së përmes numrit të gjelbër (pa pagesë) 0800 90 90, ose mund të dërgojnë mesazh përmes adresës zyrtare të email-it ankesa@amp.gov.al.