Ceremonia e Çertifikimit të Njësisë së Ekspertëve të Poligrafit në SHÇBA

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat zhvilloi sot Ceremoninë e Çertifikimit të Njësisë së Ekspertëve të Poligrafit. Ceremonia u zhvillua në ambjentet e Ministrisë së Brendshme me pjesëmarrjen e Ministrit të Brendshëm, Ambasadores së SHBA-së dhe drejtuesve kryesorë të institucioneve të drejtësisë dhe atyre ligjzbatuese.

Ky projekt u realizua falë financimit të ICITAP, si një bashkëpunim midis Ministrisë së Brendshme dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ndërsa njësia do i shërbejë jo vetëm institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë, por edhe vetë proçesit të vetingut në polici.

Në fund të këtij eventi u shpërndanë edhe Çertifikatat përkatëse për 5 ekspertët e poligrafit, të cilët u trajnuan intensivisht për një periudhë 2 mujore nga trajnerët amerikanë, nën mbikqyrjen e ICITAP.

 

Më poshtë fjala e Drejtorit të Përgjithshëm, Z. Muhamet Rrumbullaku.

I nderuar Zoti Ministër i Brendshëm,

E nderuar Zonja Ambasadore e SHBA, Znj. Yuri Kim,

I nderuar Zoti Ambasador i Bashkimit Evropian , Zoti Luigji Soreka,

E nderuar Zonja Kryetare e Komisionit të Sigurisë,

I nderuar Zoti Prokuror i Përgjithshëm,

Të nderuar përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme,

Të nderuar Drejtues të programeve  ICITAP dhe INL në Shqipëri,

Të  nderuar,  të ftuar dhe pjesëmarrës,

Në këtë ditë të veçantë në historinë e Shërbimit, më lejoni që në emër të stafit, të shpreh falenderimet e mirënjohje, ndaj organizatorëve dhe realizuesve të këtij evenimenti për të cilën jemi mbledhur, ku sot shënohet edhe momenti i ceremonisë për përfundimin e Kursit të Trajnimit të specialistëve dhe çertifikimin e tyre në cilësinë e ekspertëve për ekzaminimin poligrafik.

Projekti i Poligrafit tashmë është bërë i njohur për publikun. Ky investim tepër i veçantë në  llojin e vet, erdhi si produkt i Marrëveshjes midis Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë së SHBA-së, si një ndër aspektet  e investimeve të reformës në drejtësi, i cili e ka bazën që nga paketa ligjore e kësaj reforme e në mënyrë të veçantë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, (SPAK) e deri tek ligjet e mëvonshme që rregullojnë procesin e Vetingut në subjektet e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe të vetë SHÇBA-së.

Në këtë takim, më duhet të bëj me dije se, në një ceremoni të thjeshtë zyrtare në muajin Nëntor 2019, ICITAP bëri de fakto veprimin, duke i dhuruar Ministrisë së Brendshme pesë sete pajisjesh për ekzaminimin poligrafik. Ky moment i rëndësishem, përfaqëson një hap domethënës për projektin, në sigurimin e pajisjeve dhe të trajnimit për skuadrën e ekspertëve të poligrafit që do e përdorin atë, për punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH-së) në përputhje me dispozitat e ligjit për SPAK-un. Gjithashtu, domethënës në këtë ceremoni, ishte dhe fakti që këtij aktiviteti i’u bashkuan edhe Drejtoresha e INL-së (në Shqipëri), jo vetëm për faktin e formalizimit të dhurimit të pajisjeve të poligrafit, por duke konkretizuar dhënien e besimit për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si organizata që do të  drejtojë e  menaxhojë  në vijimësi  Njësinë e Poligrafit.

Rruga për të ardhur në ditën e sotme, nuk ka qënë tërësisht e shtruar, realizimi i këtij projekti ka kaluar nëpërmjet një bashkëpunimi tepër të ngushtë dhe serioz midis misionit ICITAP, kujdesit të drejtëpërdrejtë të Drejtorëve Ekzekutiv, z. Steve Bennet dhe z. Steve Schneider, Këshilltarve të Lartë Z. Frank Harris dhe Z. Brian Thiessen, si dhe Grupit të Punës të Shërbimit, që ndoqën hap pas hapi të gjitha fazat e projektit, të cilat konsistonin në organizimin e konkurimeve dhe testimeve për përzgjedhjen e kandidatëve e deri në klasifikimin e tyre për të ndjekur nga afër Kursin e Specializimit.

I gjithë procesi i konkurimit, u karakterizua nga një transparencë publike, por në mënyrë të veçantë dhe me shumë interes paraqiti programi i Trajnimit, i cili zgjati për një afat 2 mujor,  për shkak edhe të cilësive të veçanta të programit, ku u tregua seriozitet nga pjesëmarrësit   dhe rezultati është që sot, ne kemi dhe po ëertifikojmë 5 specialistet me treguesit dhe përfomancën më të lartë të mundshme.

Për realizimin me cilësi të programit të trajnimit, gjej rastin të falenderoj Znj, Lori  Kosiarek, eksperte e Shoqatës së Poligrafistëve Amerikanë, e cila me cilësinë e Liderit dhe të  Instruktores së këtij programi, ka qënë tepër e angazhuar dhe e lidhur ngushtë me ekspertët, duke i dhënë atyre çdo gjë në interes të formimit dhe edukimit profesional me standardet e organizatës ndërkombëtare të poligrafistëve Amerikanë.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që çertifikimi i specialistëve të sotëm përbën fillimin e punës për realizimin e faktit mbi produktet e programit, ç’ka do të thotë se na presin sfida të tjera të rëndësishme, pasi edhe kërkesat e ligjeve të reformës në drejtësi janë të tilla, ndërkohë që SHÇBA është tërësisht e angazhuar për justifikimin e besimit si institucion i selektuar në kryerjen e këtij operacioni të gjatë në kohë, por tashmë të legjitimuar edhe përpara publikut.

Duhet pranuar që Programi i Poligrafit (makina e së vërtetës), është investimi i parë i këtij lloji në vendin tonë dhe si i tillë, ai do të përdoret dhe do të funksionojë jo vetëm për strukurat e posaçme të antikorrupsionit si SPAK e BKH, por edhe ndaj subjekteve të Shërbimit në proceset e rekrutimit, të ecurisë në karrierë; pse jo, edhe ndaj kujtdo që shfaq dëshirën e vullnetin e tij për të përforcuar bindjen mbi pastërtinë e integritet të lartë në procesin e vetingut apo dhe në ushtrimin normal të funksioneve publike.

Kompletimi dhe përshtatshmëria ligjore e statusit juridik të Poligrafit, si edhe përcaktimi i modaliteteve të kryerjes reale të tij, mbetet detyrë imediate e strukturave përfituese të këtij programi, me qëllim që produktet analitike dhe informacionet e përftuara të bëhen pjesë e proceseve integruese në burimet njerëzore. Ato do të luajnë një rol të madh në mbajtjen pastër të figurës ndaj çdo individi që rekrutohet ose është i aktivizuar në shërbimet antikorrupsion.

Sot, lufta ndaj korrupsionit në administratën shtetërore apo dhe ndaj veprimeve të  individëve të veçantë, është bërë pjesë e pandarë në gjithë politikat drejtuese e menaxhuese të institucioneve. Kjo është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare, për detyrat e ditës në politikat integruese për reformën në drejtësi, ndërkohë që ky prioritet ka zënë vend kryesor në Programin e Ministrisë së Brendshme dhe në institucionet e agjensitë e saj të vartësisë.

Institucioni i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si një agjencsi mbikqyrëse ndaj subjekteve ligjore të saj, me këtë rast angazhohet dhe shpreh gadishmërinë e saj për respektimin rigoroz të protokolleve të këtij programi në interes të mbajtjes pastër të figurës, integritetit dhe rolit efiçent të çdo individi e funksioni në përballjen e përditshme dhe luftën pa kompromis që bëhet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendin tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Tashmë është e njohur nga të gjithë përgjegjësia që ligji 12/2018, i ka dhënë SHÇBA-së, ku, nga një Autoritet Verifikues e ka ngarkuar dhe me përgjegjësinë e “Organit të Vlerësimit Kalimtar dhe Periodik”, për kryerjen e Vettingut me subjektet e saj.

Vitin 2019, Shërbimi e mbylli me një sërë treguesish pozitivë, ku më kryesoret ishin, njohja e gjendjes dhe e fenomeneve negative që shfaqeshin në rradhët e subjekteve dhe organizimi i punës në të gjithë aspektet ligjore të saj për të luftuar ato, në interes të mbajtjes pastër të figurës dhe integritetit të organizatave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit Zjarrfikës.

Treguesit për vitin 2019, si 78 % rritje e numrit të subjekteve të proceduar, 113 % rritje e numrit të subjekteve ndaj të cilëve është marrë masa sigurimi personal si, arreste ose pezullime nga ushtrimi i funksioneve publike, 136 % rritje e hetimeve proaktive e deri në 49 % rritje në hetimet proceduriale penale e ato administrative, flasin për një punë tepër voluminoze, punë serioze dhe kontribut real në realizimin e misionit ligjor.

Viti 2020, që sapo ka filluar si për çdo institucion edhe për SHÇBA, është viti i sfidave të mëdha. Në këtë vit janë projektuar për t’u zbatuar reforma të rëndësishme për zhvillimin e transformimin e Shërbimit drejt një Agjencie me standarde të vendeve të Bashkimit Evropian. Kështu, këtë vit do të marrin jetë Dokumenti i Strategjisë së Zhvillimit të SHÇBA-së 2020 – 2024 dhe Planit të saj të Veprimit, të cilat tashmë janë hartuar dhe futur në rrugën e miratimit, drafti i ligjit të ri të Shërbimit, shoqëruar me projektet e strukturave dhe të akteve të brendshme, që do të  mundësojnë vënien në eficencë të tyre.

Risi për këtë vit, do të shënojë akomodimi i Shërbimit në kushte të reja me standarde, ku rëndësi marrin instalimet e dislokimet e burimeve njerezore të strukturave, jo vetëm të poligrafit por edhe për  stafin në lidhje me  procesin e Vettingut.

Në të gjithë këtë veprimtari hetimore e administrative të Shërbimit, ne kemi ndjerë nga afër bashkëpunimin tepër të ngushtë  të misionit  ICITAP, të drejtuesve të saj, të Këshilltarëve që kanë qënë të pranishëm në çdo reformë dhe rezultat të arritur.

Edhe projektimet për të zhvilluar institucionin e Shërbimit në vitet e ardhshme, kanë kujdesin e partnerëve ndërkombëtare e kryesisht të misionit ICITAP, të cilët do të japin ndihmesë edhe në procesin e infrastrukturës me programe të dixhitalizuara apo me programe analitike për proceset hetimore dhe të mbikqyrjes së burimeve njerëzore.

Kështu që, krahas gjithë instrumenteve të tjerë që ligji i ngarkon për monitorimin dhe mbikqyrjen e subjekteve të saj, SHÇBA-së, sot e tutje i shtohet dhe një instrument tjetër sa shkencor dhe ligjor, për të realizuar misionin e vet në luftën ndaj korrupsionit dhe mbajtjes pastër të figurës të subjekteve, ai i ekzaminimeve Poligrafike.

Edhe një herë përshëndesim të gjithë aktorët që kanë dhënë kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti dhe garantojmë bashkëpunimin me cilindo që na lidh detyra në mënyrë të vecantë me strukturat e reja të SPAK, BKH, jo vetëm për fushën e ekzaminimeve poligrafike  por edhe në veprimtarinë e tyre hetimore e proceduriale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ju Faleminderit .