Drejtoria Rajonale e SHÇBA Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, në kuadër të një procedimi penal, finalizoi operacionin e koduar “Pyjet e Dibrës”. SHÇBA ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, që vendosi masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për oficerin e Policisë Th.Z., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë, (në kohën e procedimit). Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës’’.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi B.L., nga Fushë Bulqiza, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “’Falsifikim i dokumenteve’’ dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”.
Pas disa muaj hetimesh me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore, veprimtaria e kundërligjshme e subjekteve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprat penale.
Mekanizmi i aktivitetit kriminal dyshohet se nis me prerjen e drurëve, transportin, magazinimin e më pas transportin e tyre për shitje për djegie, në Bulqizë, Mat, Peshkopi, Kurbinit, Fushë-Krujë e Lezhë. Pjesë e tregtimit të paligjshëm ishte dhe një minierë, që furnizohej me trupa e shtylla druri që shërbenin për procese të aktivitetit të saj.
Hetimet vijojnë dhe materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër.
#08009090SHÇBA