Sot, strukturat e SHÇBA-së Elbasan – Korçë, kanë ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 punonjësve të policisë, efektivë të DVP Korçë, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Ata janë:
1. A. Ç., 54 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq, me masë sigurie “Arrest në burg”,
2. A. Sh., 49 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq, me masë sigurie “Arrest në burg”;
3. F. K., 47 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq me masë sigurie “Arrest në burg”;
4. M. K., 28 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, DVP Korçë me masë sigurie “Arrest në burg”.
5. Y. D., 49 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq me masë sigurie “Arrest në burg”;
6. F. Q., 30 vjeçe, me detyrë trupë shërbimi në DVP Korçë me masë sigurie “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
7. O. V., 25 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e Policisë Maliq me masë sigurie “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Masat u bënë të mundura pas një hetimi disa-mujor të SHÇBA-së në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, ku falë përdorimit të metodave speciale të hetimit u arrit të dokumentohet veprimtaria e paligjshme e punonjësve, të cilët dyshohet se kanë favorizuar subjekte të ndryshme në fushën e prerjes dhe transportimit të paligjshëm të lëndëve drusore në territorin e Maliqit, duke informuar këto subjekte mbi vendkontrollet e policisë, lëvizjen e shërbimeve dhe operacionet policore, me qëllim mosgoditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për zbatimin e ligjit duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet për vendosjen përpara ligjit të punonjësve që abuzojnë me detyrën.
#08009090SHÇBA