Më datë 06.09.2021 ora 00:15, pas infomacioneve të marra në rrugë operative nga ana e Specialistëve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë, në bashkëpunim me strukturat e rendit dhe sigurisë publike në D.V.P. Korçë, në aksin rrugor Pogradec-Prrenjas u godit një rast i trafikimit të qënieve njerëzore.
Si rezultat i veprimeve të kryera, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” shtetasit:
– D. K., 50 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës
– A. M., 59 vjeç
Këta shtetas u kapën në flagrancë, në dalje të qytetit të Pogradecit, duke lëvizur në drejtim të Qafë-Thanës, me automjetin tip Chevrolet “Taksi”, ku drejtues mjeti ka qënë shtetasi D. K., me detyrë “Punonjës në strukturat e Gardës së Republikës” dhe pasagjer ka qënë shtetasi A. M. (kunati i tij), ndërsa në pjesën e pasme të këtij mjeti ishin 5 shtetas të huaj nga Lindja e Mesme, të cilët po transportoheshin nga qyteti i Korçës në drejtim të qytetit të Tiranës, kundrejt një vlere monetare prej 300 euro.
U sekuestruan në cilesinë e provës materiale automjeti Chevrolet me targa AC825T “Taksi” dhe dy telefona celularë.
Materialet u referuan pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për hetime të mëtejshme për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.