Miratohet ligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, hartuar me asistencën e partnerëve. Risitë e tij
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 76 vota pro, projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, një emërtesë që zëvendëson strukturën aktuale të SHÇBA (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat). Nisma ligjore mori mbështetjen e mazhorancës dhe pati një konsultim të gjatë në grupet e punës me Komisionet Parlamentare dhe grupet e tjera të interesit.
Ajo është pjesë e paketës ligjore për reformimin e strukturave të sigurisë, për t’i sjellë ato në standardet më të mira europiane dhe të njohura botërisht. Ky ligj u bë i domosdoshëm, ndikuar nga disa faktorë që janë përgjegjësia e (SHÇBA) për realizimin e vettingut ndaj Policisë e Gardës, reforma në drejtësi apo krijimi i institucioneve të reja të akuzës si SPAK e BKH.
“Një element tejet i rëndësishëm që u shtohet nevojave për një reformim rrënjësor të SHÇBA, lidhet me rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë, dhe kryesisht rëndësia për t’u përputhur me standardet e EPAC-ut – (European Partnership Against Corruption). P/ligji për Agjencinë është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ICITAP-in. Ai ka kaluar gjithashtu në procesin e konsultimit publik, gjatë të cilin janë përfshirë institucione të ndryshme, subjekte të ligjit, por edhe partnerë ndërkombëtarë që asistojnë në fushën e rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në seancën parlamentare.
Disa nga synimet kryesore të ligjit janë reformimi i Shërbimit, si një Agjenci inteligjente për të luftuar korrupsionin; transformimi i drejt një modeli më demokratik e institucional, rritja e kapaciteteve të shërbimit për një qasje pro-aktive ndaj fenomeneve korruptive të subjekteve të shërbimit.
Ndër risitë e ligjit është kalimi i Agjencisë në një strukturë civile, pra “zhveshja” nga gradat, duke shmangur konfliktin e interesit me subjektet që mbikëqyr.
Gjithashtu kryerja e procesit të ekzaminimit poligrafik, që ka lindur si detyrim, pasi në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, është parashikuar së një nga fazat e rekrutimi të personelit të BKH-së është edhe ekzaminimi poligrafik. Ky ka qenë një projekt i financuar nga ambasada e USA nëpërmjet Program të ICITAP për trajnimin e personelit prej 5 ekspertësh, që duhet të atashoheshin pranë SHÇBA-së.
“Kam bindjen se ky është një produkt ligjor cilësor, në funksion të rritjes së sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit, një produkt ligjor që do ti rezistojë kohës, do të shërbejë për ndërtimin e institucioneve më të mira, që kanë besueshmëri më të lartë të publikut dhe për rrjedhojë të një shoqërie më të mirë”, theksoi Ministri i Brendshëm.