SHÇBA, operacion kundër lojërave të fatit, proçedohen 3 punonjës Policie.

 

Korçë – SHÇBA, operacion kundër lojërave të fatit. 1 shtetas i arrestuar, 4 në kërkim si dhe 3 punonjës policie procedohen në gjendje të lirë

Në kuadër të procedimit penal nr. 515, viti 2021, regjistruar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre”, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, nga ana e SHÇBA Elbasan-Korçë, me mbështetjen e DPPSH dhe dy grupeve të FNSH Tiranë u zhvillua operacioni i koduar “Basti i fundit”, në kuadër të të cilit janë ushtruar kontrolle në disa ambiente bar-kafe.

Pas kontrolleve të kryera në disa ambiente ku janë gjetur sasi vlerash monetare, njësi kompjuterike, televizorë dhe pajisje të tjera për ushtrimin e veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, SHÇBA referoi materiale shtesë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në gjendje të lirë për 3 punonjës policie:

– S.H., 63 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Devoll;

– P.A., 62 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë, Bashkia Pustec;

– A.P., 61 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe proceduriale pas kontrolleve të kryera në këto ambiente, u arrestua në flagrancë shtetasi B.J., 43 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

U shpallën në kërkim 4 shtetas:

– M.P., 41 vjeç, për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”;

– A.T., 33 vjeç, lidhje bashkëpunuese në aktivitetin e lojrave të fatit me shtetasin M.P. dhe i dyshuar për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”;

– I.Ç., 24 vjeç, i dyshuar për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

– P.M., 55 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

Nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë vazhdojnë veprimet proceduriale për dokumentimin me prova ligjore në lidhje me përfshirjen e punonjësve të policisë së DVP Korçë, si dhe të shtetasve të lartpërmendur në këtë aktivitet të paligjshëm.