Një grup prej 16 punonjësish nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore morën pjesë sot në sesionin e dytë të seminarit me temë “Modelim i analizës financiare dhe aspekte praktike të analizës sipas rasteve studimore të veçanta”, organizuar nga CIDS (Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes), ndërsa i ftuar si ekspert CFE (Ekzaminues i certifikuar nga ACFE kundër mashtrimeve), ishte Z. Edval Zoto.
Qëllimi i seminarit të parë të zhvilluar më 28 Janar 2022 ishte identifikimi i autoriteteve, procedurave dhe mekanizmave me ndikim në procesin e vlerësimit të pasurisë nga AMP duke bërë një paraqitje të parimeve themelore për zhvillimin e ekzaminimeve dhe analizave financiare në kuadër të hetimeve të ndryshme për identifikimin e mashtrimeve, sipas qasjes së Shoqatës së Egzaminuesve të Certifikuar të Mashtrimeve (ACFE), me bazë në Texas, SHBA.
Me qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale në kuadër të trajnimit teknik për zhvillimin e procesit të vlerësimit nga ana e AMP, seminari i sotëm u fokusua në aspekte thellësisht teknike të vlerësimit të pasurisë, duke trajtuar modelimin e analizës financiare në përshtatje me kërkesat e legjislacionit për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA (AMP), sipas ligjit nr. 74/2020.
Gjatë seminarit u shqyrtuan dy raste studimore eksperimentale sipas modelit bazë të analizës, duke ndjekur hap pas hapi procedurat e nevojshme për identifikimin e saktë të të ardhurave, shpenzimeve dhe kapitalit, në përputhje me ekuacionin bazë të kontabilitetit.
Në përfundim u zhvillua një diskutim mbi sfidat perspektive ndaj procesit të vlerësimit të pasurisë gjatë vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA (AMP) dhe hapat vijues të procesit.
AMP do të vijojë të ndjekë filozofinë e përmirësimit dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të punonjësve në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore për zbatimin e ligjt.