Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Muhamet Rrumbullaku zhvilloi një takim pune me një delegacion nga Britania e Madhe, i cili kryesohej ish-drejtuesi i Policisë Metropolitane Lordi Hogan-Howe, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alstair King-Smith dhe Këshilltari, Richard Bone.
Drejtori Rrumbullaku prezantoi misionin e objektat e veprimtarisë së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke theksuar se miratimi i ligjit të ri është mbështetur në nevojën për një reformim rrënjësor në përputhje me standardet e EPAC-ut, si edhe me mbështetjen e Programit ICITAP. Ai shtoi se në interes të përmbushjes së standardeve të kërkuara, Agjencia ka ndërmarrë një sërë objektivash, ndër të cilat reformimi i institucionit për të luftuar korrupsionin dhe parandaluar veprimtaritë e kundërligjshme, rritja e kapaciteteve nëpërmjet aplikimit të teknologjive bashkëkohore të informacionit, apo realizimi i përgjegjësive të AMP në kuadër të procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik.
Në kuadër të nxitjes dhe ndërtimit të partneritetit dypalësh, gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të eksperiencës në fushën e kontrollit të brendshëm, koordinimit për hetime të përbashkëta mbi paligjshmëritë në rradhët e strukturave, apo shkëmbimit në kohë reale të informacionit nëpërmjet pikave të kontaktit mbi fenomenet e përbashkëta të krimit migrator.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i AMP Rrumbullaku u shpreh se në kuadër të krijimit të urave të bashkëpunimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, Agjencia mirëpret mbështetjen e Britanisë së Madhe në drejtim të mbështetjes logjistike dhe teknike të nevojshme, apo trajnimeve konstante të personelit për rritjen e kapaciteteve profesionale për hetimet proaktive, administrative, pasurore dhe mbledhjen dhe përpunimin e inteligjencës 🇦🇱🤝🇬🇧