Më datë 06.10.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Durrës kreu ekzekutimin e vendimit nr. 611, datë 04.10.2022 të Gjykatës Shkallës së Parë Durrës, e cila në funksion të procedimit nr. 1690/2022 ka vendosur masat sigurisë “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj;
– Inspektor A. B., me detyrë punonjëse policie në DVKM Durrës, e dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim Detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për shtetasit;
– A. B., i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.
– L. M., i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshem të kufijve”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.
Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri tjetrin, më datë 07.09.2022 kanë ndihmuar shtetasin M. B. t’i shmangej kontrollit të rojeve kufitare për të kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, duke udhëtuar si pasagjer në sediljen e pasme të automjetit më të cilin udhëtonin.
Punjonjësja e policisë A. B., e cila ishte e planizuar me detyrë në përpunimin e udhëtarëve, nuk ka kryer detyrën e saj funksionale për kontrollin e personave që udhëtonin në automjet, duke bërë të mundur që shtetasi M. B. të kalojë kufirin. Ky i fundit është kapur më pas nga autoritetet e policisë italiane dhe është kthyer Inad.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.