AMP dhe BKH ekzekutojnë urdhërin e SPAK, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme ndaj dy punonjësve të policisë në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë

Sot specialistët e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal Nr. 202 të vitit 2022, pas një hetimi disa mujor, kanë ekzekutuar urdhrin e Prokurorit për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Nr. 12, datë 16.02.2023, me anë të të cilit është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit si më poshtë:
– A. L., 35 vjeç, me detyrë trup shërbimi/agjent verifikues në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal;
– E. P., 36 vjeç, me detyrë Shef i Personelit dhe Shërbimeve Mbështetëse në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi, më parë është arrestuar ish punonjësi i policisë me iniciale A.N., si edhe shtetasi E.C., të cilët në bashkëpunim me punonjësit e sipërcituar, kundrejt vlerave monetare, i kthenin lejet e drejtimit të pezulluara në OASH Tiranë, para afatit të përfundimit të pezullimit.
Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
#08009090AMP