Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me CIDS (Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes) zhvilluan një Workshop 2-ditor me institucionet homologe të mbikëqyrjes policore të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Në workshop-in e organizuar në kuadër të projektit të CIDS “Promovimi i Integritetit dhe Qeverisjes së Mirë në Vendet e Ballkanit Perëndimor”, me pjesëmarrës Drejtorin e Përgjithshëm të AMP-së, Z. Ardi Veliu, si edhe drejtuesit e institucioneve homologe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, u synua nxitja e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të kontrollit të brendshëm të vendeve të rajonit, ndërsa objektiv ishte inicimi i krijimit të një platforme komunikimi dhe bashkëpunimi për shkëmbimin e pikëpamjeve për çështje që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e tyre, përgjegjshmërinë dhe integritetin e policisë në vendet përkatëse.
Bashkëpunimi në nivel dypalësh ose shumëpalësh dhe sfidat e këtyre organizatave për të garantuar standardet më të larta të etikës, llogaridhënies dhe integritetit të forcave policore në vendet respektive ishin temat kryesore të diskutimit ndërmjet palëve.
Mekanizmat e mbikëqyrjes së policisë kundër aktiviteteve të paligjshme në pikat kufitare, nëpërmjet identifikimit të problematikave aktuale dhe sfidave kryesore që hasin institucionet e mbikëqyrjes policore ishte një nga temat më specifike që u diskutua gjatë këtij takimi, për të cilën pjesëmarrësit u zotuan të ndërmarrin hapa të mëtejshme, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete dhe të prekshme në fushën e mbikëqyrjes policore.