Tiranë – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajoni Tiranë ka arrestuar në flagrancë 2 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Të arrestuarit janë:
– Inspektor A.C., 36 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë;
– Inspektor, H.XH, 26 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Arrestimi u krye pasi këta punonjës policie u kapën në flagrancë duke i marrë një drejtuesi mjeti 100 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit të tij me masë gjobe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë kontrollit personal, këtyre punonjësve iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 1420 euro, 8800 lekë, si edhe 4 aparate telefonike celularë.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.