Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë K. K., me detyrë Trup Shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Arrestimi i tij u krye pasi më datë 04.07.2023, rreth orës 01:15, në aksin rrugor Qafë Thanë-Pogradec, duke drejtuar automjetin me targë AA685IO, ky punonjës policie është përfshirë në një aksident me dëme materiale duke u përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës.
Pas kryerjes së testit të parë të alkolit ai ka rezultuar në masën 0.742 mh/L dhe në testin e dytë ka rezultuar 0.565 mg/L.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.