Drejtori i Përgjithshëm i AMP pret përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Sulejmani: Vizion i përbashkët

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani priti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, Z. Richard Deasy, Atashe për Asistencën në Çështjet e Zbatimit të Ligjit, përfaqësues i ICITAP (Departamenti i Drejtësisë) për Shqipërinë, si edhe Z. John Kastning, Drejtor i Byrosë për Çështjet e Drogave dhe Zbatimit të Ligjit (Departamenti i Shtetit) për Shqipërinë.

Fokusi i diskutimit ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit me Programin ICITAP për zhvillimin e kapaciteteve të Agjencisë, në funksion të zbatimit të ligjit dhe goditjes së paligjshmërisë në radhët e Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, si edhe vizionin e përbashkët me ICITAP-in, duke shprehur gadishmërinë e Agjencisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin kundër fenomeneve të paligjshmërisë që cënojnë rëndë besimin e publikut të punonjësit e Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera që mbikëqyren nga Agjencia

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA në Tiranë përforcuan mesazhin për vazhdimin e asistencës dhe mbështetjes ndaj Agjencisë, në funksion të përmbushjes së misionit.

Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm, Florian Sulejmani i dorëzoi përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA një dhuratë simbolike me stemën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa nga ana e tij, Z. Deasy dorëzoi si dhuratë një monedhë që simbolizon 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.

#AMP08009090