Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka kryer arrestimin në flagrancë të dy punonjësve të Policisë në Komisariatin e Policisë Rinas, të dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Ata janë:
– Inspektor A.D., 31 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas;
– Inspektor E.B., 24 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Rinas.
Arrestimi u krye pasi gjatë veprimeve hetimore procedurale, të kryera për verifikimin e informacioneve mbi përfshirjen në veprime korruptive, u krijuan dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se punonjësit e policisë, duke shfrytëzuar funksionin organik, kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë rryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Vijon puna për evidentimin e personave apo punonjësve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si edhe nëse ka raste të ngjashme.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090.