Punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore do të marrin pjesë në një trajnim 8-javor nga instruktorë me përvojë ndërkombëtare në fushën e inspektimeve.
Ky trajnim do të zhvillohet nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë me qëllim rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të Agjencisë. Janë 20 punonjës të AMP-së, të cilët për 4 javë do të marrin njohuri teorike mbi organizimin dhe format e ndryshme të inspektimeve, ndërsa 4 javë të tjera do të shërbejnë për vënien në zbatim të këtyre njohurive në terren.
Në fjalën hapëse, Atasheu për Asistencën në Çështjet e Zbatimit të Ligjit, përfaqësues i ICITAP për Shqipërinë, Richard Deasy tha se ky trajnim është një tjetër gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë për reformë në drejtësi, pasi një nga treguesit e demokracisë në një shtet modern është aftësia dhe gadishmëria për të kërkuar llogari nga punonjësit e zbatimit të ligjit, të cilët nuk e zbatojnë atë si duhet. Ai tha se programi ICITAP do të vijojë mbështetjen e fuqishme ndaj AMP në funksion të realizimit të misionit të saj për zbatimin e ligjit.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm Florian Sulejmani tha se ky trajnim vjen si një vlerë e shtuar, jo vetëm si shprehje e partneritetit të vazhdueshëm dhe thellim i bashkëpunimit me Programin ICITAP, në kuadër të reformimit dhe përmirësimit të kapaciteteve profesionale të Agjencisë, por edhe në funksion të përmbushjes së standardeve të EPAC (Partnerët Europian Kundër Korrupsionit), organizatë tek e cila AMP është e anëtarësuar prej vitit 2007.
Gjatë 4 javëve në terren, pjesëmarrësit do të kryejnë inspektime në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin, me qëllim implementimin dhe jetësimin e njohurive të përfituara në kuadër të përmirësimit të veprimtarisë inspektuese, si edhe si një mekanizëm efektiv parandalues, në funksion të procesit të vetëpastrimit.
AMP#08009090