Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. Z., me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Rinas, i dyshuar për veprat penale “Kanosje” dhe “Shpërdorim detyre”.
Arrestimi i tij u krye pasi me datë 04.04.2025 rreth orës 22:00 pranë një parkimi në Fushë Krujë, është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasit A. H. dhe O. H., duke kanosur jetën e tyre.
Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një gëzhojë me kapsolle të goditura dhe një objekt metalik i deformuar i ngjashëm me atë të predhës. Gjithashtu nga veprimet e para hetimore, AMP ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë të llojit Glok 17 me 12 fishekë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511