AMP arreston në flagrancë një punonjës policie dhe një shtetas në Sarandë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të AMP dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Last Sunday”, ku u arrestuan në flagrancë punonjësi i policisë R.B., me detyrë Trup Shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, si dhe një shtetas bashkëpunëtor i tij me iniciale S.V., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje, prodhim pa leje e armëve dhe municionit”.

Dy shtetasit e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytezuar një lokal ‘Beach Bar’ në qytetin e Sarandës për të kamufluar veprimtarinë antiligjore, shpërndanin lëndë narkotike të llojit kanabis sativa tek shtetas të ndryshem duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Gjithashtu në ambientet e lokalit u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri e llojit pistoletë së bashku me municion, pa leje.

Në cilesinë e provave materiale u sekuestrua një sasi lënde narkotike rreth 100 doza, një arme zjarri e tipit TT pa leje, dy aparate celulare, një automjet dhe një shumë monetare prej 555 euro, 20 pound dhe 20.000 lek.

Materialet proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 0800 90 90.