Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Nënkomisar L. D., 46 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Arrestimi i tij u krye pasi më datë 25.06.2023, rreth orës 22:20, në aksin rrugor Pogradec-Korçë, ai u përfshi në një aksident me dëme materiale duke goditur një automjet tjetër dhe më pas u largua nga vendngjarja.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se punonjësi i policisë drejtonte automjetin nën efektin e alkolit tej normave të lejuara.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.