AMP arreston në flagrancë një punonjës policie, te dyshuar për “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) ka arrestuar në flagrancë sot punonjësin e policisë Inspektor K. LL., 60 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Divjakë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Arrestimi i tij u krye pasi rreth orës 11:30, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Plugut, në aksin rrugor Lushnje-Divjakë, duke drejtuar në gjendje të dehur motocikletën e tij është përplasur me automjetin Mercedes Benz, që drejtohej nga shtetasi K. D. Punonjësi i policisë nuk ishte në shërbim në momentin e ngjarjes.
Pas kryerjes së testit të alkolit, rezultoi se punonjësi i policisë K. LL. ishte në gjendje të dehur në masën 2.000 mg/l.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për hetime të mëtejshme.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090.