AMP Fier arreston në flagrancë një punonjës policie dhe një shtetas

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Fier-Berat ka arrestuar në flagrancë Inspektor B.Z., me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier, i dyshuar për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, si edhe shtetasin E.M., të dyshuar për veprat penale “Deklarim i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Arrestimi i shtetasve të mësipërm u krye pasi më datë 27.12.2022, shtetasi B.Z., duke drejtuar automjetin “Toyota” në aksin rrugor Lushnje-Fier, është përfshirë në një aksident rrugor me një  automjet “Mercedes Benz” që drejtohej nga shtetasi E.SH, dhe pasagjer shtetasin A.SH., të cilët pasi morën mjekim në Spitalin Rajonal Fier, u larguan për në banesë.
Nga verifikimi i kryer me aparatin Drager, punonjësi i policisë B.Z. ka rezultuar në gjendje të dehur, ku në të dyja matjet e kryera ka rezultuar në masën 2.0 mg/l.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E. M., 34 vjeç, me veprimet e tij, ka penguar hetimet në lidhje me zbardhjen e së vërtetës duke pretenduar se ka qenë ai drejtues i automjetit “Toyota” dhe për këtë arsye është arrestuar në flagrancë.
Materialet hetimore në lidhje me këtë çështje janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.