AMP Fier-Berat ekzekutoi vendimin e Gjykatës për dy punonjës policie pas hetimeve për korrupsion.

Më datë 17.10.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Fier-Berat ka zbatuar Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje datë 13.10.2022, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj punonjësve të strukturës së Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Kavajë:
– Inspektor H.T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
– Inspektor B.H., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje ka vendosur caktimin si masë sigurimi personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit P. T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në kuadër të këtij procedimi penal, nuk është ekzekutuar vendimi i kësaj Gjykate mbi caktimin si masë sigurimi personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndaj shtetasit E.SH., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi ky shtetas nuk gjendet në vendbanim dhe rezulton të ketë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Caktimi i masave të sigurisë erdhi si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AMP Fier-Berat në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Durrës-Kavajë mbi dyshimet për ndërveprime korruptive nga ana e shtetasve të mësipërm, në kuadër të Procedimit Penal Nr.807/2021.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.