Agjencia e Mbikëqyrjes Policore finalizon dy procedime penale, duke arrestuar 3 shtetas, njëri prej të cilëve Oficer policie, ndërsa 1 shtetas tjetër është shpallur në kërkim.
– Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorit ndaj shtetasit S.H., 38 vjeç, me detyrë punonjës policie, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Cerrik, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi L.T., 44 vjeç, bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal me punonjësin e policisë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Punonjësi i policisë S.H. rezulton i implikuar në aktivitetin kriminal në formën e shpërndarjes/shitjes së lëndëve narkotike, favorizimit të shtetasve të ndryshëm në këtë aktivitet, fshehjen e personave në kërkim, shitjen e armëve dhe municioneve luftarake kundrejt përfitimeve në lekë, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, Ai është i dyshuar se ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
– Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) në bashkëpunim me DVP Tiranë ka arrestuar edhe shtetasit F.P., 30 vjeç dhe E.P., 22 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Hetimet vijojnë për evidentimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 0800 90 90.