AMP, fushatë promovuese në Shkodër e Lezhë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijoi takimet me shkollat e mesme në qytetin e Shkodrës dhe Lezhës, në kuadër të rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit me publikun.

Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Florian Sulejmani, i shoqëruar nga Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Rick Bates, si dhe përfaqësues të agjencisë, prezantuan në shkollat e mesme “Oso Kuka”, “28 Nëntori” dhe “Hydajet Lezha”, misionin e AMP-së, objektin e veprimtarisë dhe mënyrat e kontaktit me agjencinë.

Sulejmani theksoi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë agjenci-publik duke ftuar të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit Zjarrfikës.

Ndërsa Bates vlerësoi punën e deritanishme të agjencisë, si dhe shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për promovimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve ndaj çdo shkelje.

AMP-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit.

#amp08009090