AMP-ja zhvillon trajnim me ONM dhe ICITAP në lidhje me Procesin e Vlerësimit Kalimtar dhe Periodik

Punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ditën e sotme, morën pjesë në një trajnim në lidhje me procesin e Vlerësimit Kalimtar dhe Periodik, të zhvilluar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), me mbështetjen e programit ICITAP.
Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Z. Florian Sulejmani gjatë këtij takimi, ndër të tjera, falënderoi përfaqësuesit e ONM-së dhe të ICITAP-it për mbështetjen e vazhdueshme në proceset inspektuese, hetuese, të trajtimit të ankesave, poligrafit, vlerësimit kalimtar e periodik, etj.
Vëzhguesi Ndërkombëtar i ONM-së nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, Steven Kessler, së bashku me përfaqësues të ONM-së ndanë me anëtarët e trupave vlerësuese të AMP-së, përvojën disavjeçare të fituar nga procesi i vetingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Në këtë takim morën pjesë Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Richard Deasy dhe Këshilltari për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP, Z. Rick Bates, të cilët vlerësuan nivelin shumë të lartë të profesionalizmit që punonjësit e AMP-së kanë kryer gjatë seancave të vetingut.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua rreth sfidave të hasura mbi zhvillimin e procesit të vetingut, si fshehja e mundshme e pasurisë nga subjektet, hetimi i kontrollit të figurës, transparenca e procesit, llogaridhënia gjatë hetimit, etj.

Ky trajnim vjen si një vlerë e shtuar e bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të rritjes së mëtejshme të kapaciteteve profesionale të agjencisë.