Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka shpallur në kërkim punonjësin e Policisë të Komisariatit të Policisë Himarë F.XH., i dyshuar për kryerjen veprave penale “Përndjekje”, “Dhuna në familje”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”.
Ai dyshohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një punonjëse të policisë në Komisariatin e Vlorës. Konkretisht, në datën 03.05.2024 ka përndjekur përgjatë segmentit rrugor Bulevardi kryesor dhe në “Transballkanike” me automjet punonjësen e policisë duke përplasur automjetin e saj dhe më pas është larguar me shpejtësi, ndërsa mjetin e ka braktisur në Vlorë.
Nga këqyrja e automjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë të ftohta (thikë e biçak), për të cilat u bë vendimi për kryerjen e ekspertimit teknik. Në vijim të veprimeve procedurale, Agjencia ka administruar edhe kallëzimin e punonjëses së policisë.
AMP-ja në bashkëpunim me DVP Vlorë po punon për kapjen dhe ndalimin e punonjësit të policisë F.XH.
#amp08009090