Në datat 13 – 15 Qershor 2022, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore u përfaqësua me 2 punonjës në një trajnim ndërkombëtar të EPAC/EACN, ku morën pjesë rreth 40 ekspertë nga rreth 18 institucione të vendeve anëtare, në cilësinë e Autoriteteve Anti-Korrupsion dhe Organizmave të Mbikëqyrjes Policore
Ky trajnim i zhvilluar në Vilnius të Lituanisë në kuadër të projektit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), u fokusua në identifikimin e rreziqeve të korrupsionit dhe mashtrimit duke përdorur mjetet e analizës së të dhënave të mëdha (Big Data). Trajnimi u realizua nga ekspertë të SHBA, Zvicrës e Hungarisë dhe kishte për qëllim forcimin e kompetencave të Shërbimeve Speciale të Hetimit dhe profesionistëve të tjerë të zbatimit të ligjit në parandalimin e rreziqeve të korrupsionit që prekin interesat financiare të Bashkimit Europian, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për shkëmbimin e informacionit në terren.
Në bazë të axhendës, dita e parë e trajnimit u fokusua në temat e prezantuara nga Z. Chris Pallaris, Drejtor i i-intelligence, Zyrih, Zvicër, mbi strategjitë dhe menaxhimin e të dhënave të mëdha.
Dita e dytë e trajnimit e drejtuar nga Z. Mihály Fazekas, Asistent Profesor, Shkolla e Politikave Publike, Universiteti i Europës Qëndrore, Budapest, Hungari, u fokusua në çështje që lidheshin me hetimin e korrupsionit, kryesisht në prokurimet publike me fonde të BE.
Ndërsa dita e tretë, e drejtuar nga Z. Michael Lohmuller, Drejtues Programi, Qendra për Studime të Avancuara të Mbrojtjes, Washington, DC, SHBA, e fokusuar në çështje që lidheshin me përdorimin e databazave të hapura (online) të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar në hetimin e rasteve të korrupsionit, trafiqeve, trafikut të drogës, lidhjeve të papërshtatshme të zyrtarëve të lartë me botën e krimit, etj.
AMP do të vijojë të ndjekë qasjen e përmirësimit dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të punonjësve në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore për zbatimin e ligjit, si edhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.