Një grup specialistësh nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zhvilluan takime me qytetarë të ndryshëm që udhëtonin përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Portit Durrës.
Gjatë këtyre takimeve, qytetarët u njohën me misionin e Agjencisë dhe mënyrat e ndryshme në dispozicion të publikut, përmes të cilave ata mund të kontaktojnë në lidhje me çdo shkelje të ligjit apo mungesë etike nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës.
Ky takim është pjesë e një sërë takimesh të tjera që janë parashikuar të zhvillohen në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e mëtejshme të komunikimit dhe bashkëpunimit me publikun, në funksion të përmbushjes së misionit të Agjencisë për mbikëqyrjen e vazhdueshme, të pavarur, objektive dhe transparente të subjekteve të saj.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 08009090.