Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka vijuar hetimet e thelluara mbi personat e përfshirë në ngjarjen e datës 21.03.2024, ku u ndalua një punonjës policie dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas të tjerë dhe pas këqyrjes së detajuar të komunikimeve telefonike mes tyre dhe personave të tjerë, deklarimeve të disa personave që tregojnë rrethana të hetimit, si dhe këqyrjes së pamjeve filmike të administruara, është bërë e mundur gjetja dhe kontrolli i një ambienti të përshtatur si Call Center, në pronësi të shtetasve M.H. (i shpallur në kërkim) dhe SH. O., i ndodhur në rrugën “Idriz Guri” Tiranë, në të cilin ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit me bursën FOREX.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumenta, pajisje të ndryshme dhe disa njësi kompjuterike, në të cilat ishin të instaluara programe/aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga disa operatorë, duke i mashtruar për investime në bursë, nëpërmjet të cilave arrinin të përfitonin vlera monetare të konsiderueshme, që variojnë nga 500 deri në 30.000 euro.
Mbi bazën e materialeve hetimore të administruara deri në këtë fazë i është relatuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, caktimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, në mungesë, për shtetasit M. H., 33 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” i kryer në bashkëpunim, si dhe regjistrimin e të njëjtës vepër për personin nën hetim SH. O., i arrestuar më parë si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të të gjithë personave të perfshirë në këtë veprimtari dhe dokumentimin me prova ligjore të veprave penale, ku dyshohet se ata janë të përfshirë.
#AMP08009090