AMP Vlorë arrestoi një punonjës policie për “Vrasje e mbetur në tentativë”

Vlorë – Drejtoria Rajonale e AMP Vlorë arrestoi në flagrancë një punonjës policie të repartit Delta Forcë, si të dyshuar për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Më datë 29.04.2022, rreth orës 18:55, në lagjen “10 Korriku”, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se punonjësi i policisë, Inspektor L.M., ka qëlluar me armë zjarri pistoletë (armën personale të punës) ndaj shtetasit J. T.,  i cili ka qenë duke drejtuar mjetin tip Benz.
Nga të shtënat nuk ka patur të dëmtuar, ndërsa shtetasi J.T. është larguar nga vendngjarja duke braktisur mjetin.
Menjëherë pas marrjes dijeni nga salla operative, nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, është krijuar grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet hetimore proceduriale në vendngjarje, ku janë sekuestruar;
– një armë zjarri e llojit pistoletë
– 7 gëzhoja 9 mm, të cilat dyshohen se i përkasin armës së punonjësit të policisë, L.M.
– 3 fishekë, model 54
– mjeti tip Benz Mercedez
– pamjet filmike nga kamerat e ambjenteve në zonën ku ka ndodhur ngjarja
Ndaj punonjësit të policisë, Inspektor L.M. është vendosur masa e arrestit në flagrancë dhe materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë për kryerjen e veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, parashikuar nga Nenet 76 e 22 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90