Vlorë – Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Vlorë ka referuar materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë ndaj 3 punonjësve të Policisë, në Stacionin e Policisë Kufitare Port Vlorë dhe 2 shtetasve, pas publikimit në emisionin investigativ ‘Stop’, të pamjeve filmike ku ata dyshohet se janë të përfshirë në veprime korruptive.
Procedimi penal është kryer në ngarkim të shtetasve:
– Inspektor P.H., 56 vjeç, me detyrë Nd. Specialist Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Port Vlorë, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”;
– Inspektor SH.L., 55 vjeç, me detyrë Nd. Specialist Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Port Vlorë, i dyshuar për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funskione publike” dhe “Shpërdorim detyre”;
– Inspektor G.Z., 56 vjeç, me detyrë trup shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Port Vlorë, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”;
– F.D., 60 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”.
– G.M., 56 vjeç, i dyshuar për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funskione publike” e “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Hetimet paraprake ndaj tyre janë kryer pas transmetimit në media të pamjeve filmike, ku pas këqyrjes së tyre rezulton se punonjësit e Policisë dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke siguruar kushtet për kalim të paligjshëm të kufirit të një shtetasi (gazetar investigativ) drejt Italisë kundrejt përfitimit monetar. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kompjuter, formular ftese etj.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës Shkallës së Parë Vlorë nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe vënien para përgjegjësisë penale.
#08009090AMP