Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zhvilloi fushatë promovuese në Korçë dhe Pogradec, në kuadër të bashkëpunimit me publikun për zbatimin e ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë së Shtetit.
Përfaqësuesit e AMP-së, të shoqëruar edhe nga Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Z. Rick Bates, theksuan nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë Agjenci-publik, si një prej mënyrave më të rëndësishme për ushtrimin e mbikëqyrjes civile në funksion të pastrimit të Policisë së Shtetit nga çdo paligjshmëri.
Takime mjaft konstruktive u zhvilluan në Universitetin “Fan Noli”, Gjimnazin “Themistokli Gërmenji”, Gjimnazin “Raqi Qirinxhi” dhe Gjimnazin “Muharrem Çollaku”, ku gjatë bashkëbisedimeve të hapura, studentët dhe nxënësit paraqitën opinionet e tyre në lidhje me punën e Policisë së Shtetit në funksion të sigurisë në shkolla dhe komunitet ku banojnë.
Në vijim, përfaqësuesit e AMP zhvilluan takime me qytetarë që udhëtonin përmes Pikave të Kalimit Kufitar “Kapshticë” dhe “Qafë Thanë”. Gjatë këtyre takimeve u prezantuan mënyrat e ndryshme të kontaktimit me Agjencinë në funksion të realizimit të misionit të saj, por edhe për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me qytetarët.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nxit të gjithë qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimit, shkeljes së ligjit, apo sjelljeve të pahijshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës me qëllim rritjen e performancës nga ana e këtyre strukturave.
Për ankesat ndaj punonjësve të strukturave të mësipërme mund të telefononi në Numrin e Gjelbër (pa pagesë) 0800 9090, ose mund të dërgoni E-mail në adresën tonë zyrtare ankesa@amp.gov.al. Gjithashtu, mund të vizitoni personalisht Zyrën e Pritjes së Qytetarëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku punonjësit tanë janë në gadishmëri për të pritur qytetarët nga ora 08:00 – 22:00, në 6 ditë të javës, ose të kontaktoni me specialistët tanë në Drejtoritë Rajonale të AMP-së të vendosur pranë Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe.