Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijoi fushatën promovuese në qytetin e Korçës, ku zhvilloi takime me qytetarë, studentë dhe nxënës të maturës në përpjekje për të forcuar bashkëpunimin me publikun, në funksion të zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimit të Policisë së Shtetit.
Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesit e AMP-së shoqëroheshin edhe nga Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Z. Rick Bates, i cili gjatë takimeve theksoi mbështetjen e ambasadës amerikane për Agjencinë në funksion të garantimit të të drejtave të qytetarëve për të patur një shërbim policor të standardeve më të larta europiane.
Takimi i parë u zhvillua me studentë të Universiteti “Fan Noli” në Korçë. Përfaqësuesit e Agjencisë prezantuan misionin, objektin e veprimtarisë, organizimin dhe mjetet e komunikimit, përmes të cilave qytetarët mund të dërgojnë ankesat e tyre për punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës. Gjatë takimit u shpërndanë edhe materiale informuese.
Takimi rradhës u zhvillua në Gjimnazin “Themistokli Gërmenji” Korçë, ku gjatë bashkëbisedimeve të hapura, nxënësit paraqitën edhe opinionet e tyre që lidheshin me punën e Policisë së Shtetit në funksion të sigurisë në shkolla dhe komunitet ku banojnë.
Në vijim, përfaqësuesit e AMP zhvilluan takime me qytetarë që udhëtonin përmes Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë. Gjatë këtyre takimeve u prezantuan mënyrat e ndryshme të kontaktimit me Agjencinë në funksion të realizimit të misionit të saj, por edhe për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me publikun.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nxit të gjithë qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimit, shkeljes së ligjit, apo sjelljeve të pahijshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës me qëllim rritjen e performancës nga ana e këtyre strukturave.
Për ankesat ndaj punonjësve të strukturave të mësipërme mund të telefononi në Numrin e Gjelbër (pa pagesë) 0800 9090, ose mund të dërgoni E-mail në adresën tonë zyrtare ankesa@amp.gov.al. Gjithashtu, mund të vizitoni personalisht Zyrën e Pritjes së Qytetarëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku punonjësit tanë janë në gadishmëri për të pritur qytetarët nga ora 08:00 – 22:00, në 6 ditë të javës, ose të kontaktoni me specialistët tanë në Drejtoritë Rajonale të AMP-së të vendosur pranë Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe.