Ceremonia e shpërndarjes së Certifikatave pas trajnimit nga “IBM”

Gjatë muajit Tetor 2021, një grup punonjësish në nivel drejtuesish dhe specialistësh nga Drejtoria e Përgjithshme e SHÇBA, mori pjesë në një trajnim 2 javor nga ekspertë sllovenë, përfaqësues të kompanisë lider në fushën e teknologjisë së informacionit “IBM”, mbi një platformë analitike që përdoret aktualisht nga SHÇBA për analizimin e të dhënave dhe informacionit kriminal.
Kjo platformë është e përbërë nga tre programe të ndryshme, të cilat ndërveprojnë me njëra tjetrën dhe bëjnë regjistrimin, analizimin dhe identifikimin e të dhënave të rëndësishme, të cilat janë të nevojshme në punën e përditshme të specialistëve tanë gjatë hetimeve proaktive. Risia e këtij inovacioni është se kjo platformë do të ndihmojë për të vlerësuar dhe identifikuar të dhënat, si edhe risqet që i kanosen sektorëve të ndryshëm të strukturave që janë objekt i veprimtarisë së SHÇBA, duke krijuar kushtet për të konsoliduar më tej masat parandaluese kundër paligjshmërisë dhe shkeljeve të ligjit.
Në fund të trajnimit u realizua testimi për të gjithë pjesëmarrësit dhe iu dhanë Certifikatat përkatëse 10 punonjësve. Gjatë shpërndarjes së Certifikatave, Drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Z. Muhamet Rrumbullaku falenderoi ekspertin e IBM, Z. Polach për përkushtimin e tij në trajnimin e punonjësve dhe i kërkoi që ky bashkëpunim të thellohej edhe më tepër në të ardhmen, në funksion të rritjes së mëtejshme të kapaciteteve profesionale të punonjësve të SHÇBA-së në aspektin e analizimit të të dhënave përmes teknologjisë së informacionit.
Në fund të ceremonisë, Z. Polach iu dorëzuan edhe disa dhurata simbolike në shenjë falenderimi.