Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Florian Sulejmani u takua në Prishtinë me Kryeshefin Ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj në funksion të bashkëpunimit të ndërsjelltë të të dy agjencive homologe të mbikëqyrjes policore.
Gjatë këtij takimi u nënshkrua Raporti nga inspektimi i përbashkët, i cili është realizuar nga strukturat inspektuese të të dyja agjencive, në fushën “Vlerësimi i zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
Inspektimi i përbashkët është realizuar duke u bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë “mbi forcimin e bashkëpunimit të Kontrollit të Brendshëm” (të datës 23.03.2015).
Inspektimi i realizuar në tre Pika të Përbashkëta të Kalimit Kufitar, të menaxhuara nga Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit, pasqyron nevojën e zbatimit më me korrektësi të Marrëveshjes së datës 29.12.2018 sa i përket respektimit të kritereve të parimit “një ndalesë një kontroll”, pajisjen e PPKK-ve me logjistikën e nevojshme orientuese/informuese për udhëtarët, përmirësimin e infrastrukturës së kabinave të kontrollit, studimit të dinamikës së punës, plotësimit të strukturës organike, kalimit në kohë reale të të dhënave nga sistemet informative të të dyja policive, rritjen e aktivitetit parandalues të krimit ndërkufitar, rritjen e bashkëpunimit nëpërmjet kryerjes së analizave të përbashkëta të riskut dhe organizimin e operacioneve të përbashkëta.
Përfaqësuesit e të dyja strukturave të mbikëqyrjes policore u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes policore, drejt zhvillimit të kapaciteteve profesionale të komponentëve operative dhe përfitimit nga shkëmbimi i praktikave të avancuara të të dyja agjencive (AMP/IPK).