Drejtori i Përgjithshëm i AMP -së merr pjesë në konferencën e Europol

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Z. Florian Sulejmani së bashku me përfaqësues të institucionit morën pjesë në konferencën e Europol-it me temë “Të drejtat themelore në zemër të policimit”, zhvilluar në datat 21 – 22 Shkurt në Hagë.

Mbi 130 pjesëmarrës nga 25 vende anëtare të BE-së dhe 11 vende jo anëtarë diskutuan dhe ndanë përvojat mbi perspektivat e respektimit të të drejtave themelore në polici dhe gjetjen e praktikave bashkëpunuese për të ruajtur besimin midis forcave policore dhe komuniteteve që iu shërbejnë.

Në kuadër të kësaj konference, Drejtori i Përgjithshëm z. Sulejmani zhvilloi edhe një takim zyrtar me Drejtorin e Departamentit të Krimit Ekonomik dhe Financiar Europian, z. Burkhard Mühl, ku i prezantoi rolin e Agjencisë në funksion të mbikëqyrjes dhe rezultatet e arritura në këtë drejtim.

Gjatë takimit fokusi u vendos te krijimi i urave të bashkëpunimit mes Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Europolit, për shkëmbimin e informacioneve dhe veçanërisht të dhënave të siguruara nga përdorimi i aplikacioneve të enkriptuara Sky ECC dhe EnchroChat, ku përfshihen punonjës të strukturave që Agjencia mbikëqyr.