Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së merr pjesë në panairin “ISS World Europe” në Pragë, ku zhvilloi takim edhe me homologun çek

Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së vizitoi panairin “Intelligence Support Systems World Europe”, i cili u zhvillua në datat 4-6 Qershor në Pragë. Ky është eventi më i madh në botën e analistëve rajonalë të zbatimit të ligjit, sigurisë publike, luftës kundër trafikut të drogës, pastrimit kibernetik të parave, trafikimit të qenieve njerëzore, terrorizmit dhe aktiviteteve të tjera kriminale të kryera në rrjetin e sotëm të telekomunikacionit.

Kjo vizitë u krye në kuadër të bashkëpunimit të projektit EU4LEA me AMP-në dhe në zbatim të Komponentit 1 “Rritja e kapaciteteve operacionale të SPAK, PSH, PP në hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit mjedisor”.

Gjithashtu, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm Florian Sulejmani zhvilloi një takim me homologun, Grig. Gen. Vit Hendrych.

Gjatë këtij takimi, z. Sulejmani vlerësoi gatishmërinë për bashkëpunimin në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimit të eksperiencave midis dy institucioneve, ndërsa e ftoi z. Hendrych të vizitonte AMP-në.

Nga ana e tij, z. Hendrych vlerësoi punën e deritanishme të agjencisë, ndërsa theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve duke shkëmbyer eksperiencat në fushën e inspektimeve apo hetimeve proaktive, duke ofruar ndihmën e tij për të vënë në dispozicion metodologji dhe mjete të veçanta në kuadër të hetimeve me metoda speciale.

#amp08009090