Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, z. Ardi Veliu mikpriti përgjatë ditës së sotme në një takim pune një delegacion nga Drejtoria e Policisë së Malit të Zi, të shoqëruar nga përfaqësues të programit ICITAP të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Takimi u zhvillua në kuadër të shkëmbimit të praktikave më të mira mbi përdorimin e sistemeve dhe databazës së të dhënave që shfrytëzohet aktualisht nga AMP për menaxhimin dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.
Përfaqësuesit e Policisë së Malit të Zi u njohën nga afër me punën dhe misionin e Agjencisë, si edhe me mënyrën se si funksionon procesi i marrjes e trajtimit të Ankesave nga Drejtoria e Inspektimit dhe Ankesave pranë AMP-së.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të vazhdojë të bashkëpunojë me agjencitë ligjzbatuese të rajonit, jo vetëm në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave, por edhe në fusha të tjera me qëllim realizimin e misionit dhe vizionit të përcaktuar në ligj.