Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Z. Rrumbullaku shpërndan Certifikatat pas përfundimit të trajnimit mbi hetimin pasuror.

Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Z. Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtuesi i Projektit CIDS në Shqipëri, Z. Arjan Dyrmishi i dhanë sot Certifikatat e përfundimit të trajnimit mbi hetimin pasuror punonjësve që do të kryejnë procesin e vlerësimit kalimtar e periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA (AMP) në Ministrinë e Brendshme.

Seminaret u zhvilluan në harkun kohor prej 5 muajsh, në kuadër të implementimit të projektit “Promovimi i Integritetit dhe Qeverisjes së Mirë në Vendet e Ballkanit Perëndimor” nga CIDS (Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes).

Gjatë trajnimit u identifikuan nevojat parapërgatitore dhe u vlerësuan kapacitetet për procesin e vlerësimit të pasurisë së subjekteve të ligjit, në kontekstin e parimeve themelore për zhvillimin e ekzaminimeve dhe analizave financiare, në kuadër të hetimeve të ndryshme për identifikimin e mashtrimeve, sipas qasjes së Shoqatës së Egzaminuesve të Certifikuar të Mashtrimeve (ACFE), me bazë në Texas, SHBA.

Punonjësit e Agjencisë që do të angazhohen në këtë proces u trajnuan mbi aspektet praktike të vlerësimit të pasurisë, duke u fokusuar në aspekte thellësisht teknike dhe duke trajtuar modelimin e analizës financiare në përshtatje me kërkesat e legjislacionit për vlerësimin kalimtar dhe periodik.

Gjatë këtyre seminareve u shqyrtuan raste studimore eksperimentale sipas modelit bazë të analizës, duke ndjekur hap pas hapi procedurat e nevojshme për identifikimin e saktë të të ardhurave, shpenzimeve dhe kapitalit, në përputhje me ekuacionin bazë të kontabilitetit.
AMP do të vijojë të ndjekë qasjen e përmirësimit dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të punonjësve në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore për zbatimin e ligjit, si edhe përmirësimin e mëtejshëm të procedurave të lidhura me hetimin dhe vlerësimin e pasurisë gjatë procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA (AMP) në Ministrinë e Brendshme.