Drejtoria Rajonale e AMP Durrës ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës janë pezulluar plotësisht nga ushtrimi i detyrës punonjësit e policisë:
– Inspektore B. GJ., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.
– Inspektor H. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës
– Inspektor R. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.
Hetimet ndaj punonjësve të mësipërm janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës, pas kallëzimit të kryer nga shtetasi A. K., mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. K. është shoqëruar më datë 06.11.2021 dhe gjatë kohës që ka qëndruar në dhomat e sigurisë, punjonjësit e policisë të mësipërm kanë ushtruar dhunë ndaj tij, veprime arbitrare që evidentohen edhe nga këqyrja e pamjeve filmike të ambienteve të sigurisë së DVP Durrës.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.