Tiranë – Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për shtetasen E.H., me detyrë punonjëse civile pranë Zyrës së Shërbimit ndaj Qytetarëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Masa e sigurimit ndaj saj është marrë pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, nisur nga informacioni i marrë nga dy shtetas shqiptarë të Kosovës, të cilët kishin aplikuar për fitimin e shtetësisë shqiptare në kategorinë “Me origjinë” dhe kishin dorëzuar dokumentacionin përkatës pranë punonjëses E.H.
Nga hetimet ka rezultuar se kjo punonjëse, duke shfrytëzuar atributet për shkak të funksionit organik, duke iu kërkuar dhe marrë atyre një shumë parash, duke ua argumentuar si pagesë për tarifën e shërbimit, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi për përfitimin e shtetësisë, kjo kategori është e përjashtuar nga pagesa.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.