Fier – AMP arreston një punonjës policie të dyshuar për “Moskallzim krimi”

Vijon vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjës të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ka kryer arrestimin në flagrancë të punonjësit të Policisë Inspektor G.Y., 31 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi i Forcave Operacionale në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallzim i krimit”.

Arrestimi u krye sepse pavarësisht se është vënë në dijeni të një ngjarje kriminale të ndodhur sot, ku shtetasit H.T. dhe O.A. janë marrë peng nga shtetasit K.B., E.A. dhe A.Z. (familjarë të punonjësit të policisë), nuk e ka kallëzuar këtë fakt pranë Policisë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090.