Finalizohet operacioni “Nacional”, arrestohen 3 punonjës policie dhe 4 shtetas, në kërkim 1 shtetas tjetër

Tiranë – Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë në bashkëpunim me strukturat e luftës kundër krimit të organizuar në DVP Tiranë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Nacional”.
Goditet një grup i strukturuar kriminal, vihen në pranga 7 shtetas, 3 prej tyre punonjës Policie dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Në kuadër të këtij operacioni, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– S. Sh., 31 vjeç, N. Sh., 24 vjeç, E. C., 24 vjeç, A. Sh., 25 vjeç, banues në Tiranë;
– F. B., 38 vjeç, V. D., 29 vjeçe dhe E. A., 24 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, që vepronte në fushën e trafikimit të mjeteve motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Trafikimi i mjeteve bëhej nëpërmjet PKK Morinë dhe kalimin e mjeteve e kryente shtetasi F. B., me detyrë trup shërbimi në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin.
Në vijim të veprimeve procedurale u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.
Vijon puna në bashkëpunim me autoritetet Policore të Kosovës, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.