Historiku

HISTORIKU I AMP-së

 

Periudha 1991 – 2001

Më 11.12.1991, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin Nr. 7530 “Për Shërbimin e Kundërzbulimit në organet e Rendit Publik”, i ndryshuar më pas me ligjin Nr. 7882, datë 01.12.1994.

Ky ligj i hapi rrugën krijimit të institucionit që gjerësisht njihej si Shërbimi Informativ i Rendit dhe i cili në thelb të tij kishte detyrimin që të informonte strukturat e Ministrisë së Rendit Publik mbi veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Nëpërmjet këtij ligji, punonjësit e SHIR nuk kishin kompetenca të Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe nuk hetonte veprimtaritë e kundraligjshme në rradhët e Policisë së Shtetit, por vetëm informonte Ministrinë e Brendshme.

Gjatë periudhës 1991-2001, SHIR shtrihej në rang vendi dhe zyrat e saj ishin stacionuar pranë DVP-ve të qarqeve.

 

Periudha 2001 – 2008

Në bazë të Ligjit Nr. 8749, datë 01.03.2001 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik”, ky shërbim u krijua si një strukturë e veçantë policore, unike dhe e pavarur, e cila varej direkt nga Ministri i Rendit Publik, ku veç karakterit informativ, veprimtaria e tij shtrihej edhe në atë të hetimit paraprak.

Ndërsa objekti i veprimtarisë ishte ai i “zbulimit dhe dokumentimit të veprimtarisë kriminale që kryhet nga punonjës të Policisë dhe strukturave të tjera të Ministrisë së Rendit Publik”, punonjësit e SHKB-së kishin atributet e oficerit dhe agjentit të policisë gjyqësore. Ata mbanin gradë policore dhe kishin statusin e punonjësit të Policisë së Shtetit.

SHKB ishte strukturuar në kuadrin e njësive përbërëse të aparatit të Ministrisë së Rendit Publik, me shtrirje në të gjithë territorin e vendit, duke veçuar faktin që veprimtaria e tij si shërbim i policisë gjyqësore, udhëhiqej nga prokurori sipas kompetencave lëndore e tokësore.

 

Periudha 2008 – 2014

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, në bazë të Ligjit Nr.10 002, datë 06.10.2008 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme” përcaktohej si  institucion i administratës publike, me varësi nga Ministri i Brendshëm.

Shërbimi kishte objekt të veprimtarisë “parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin paraprak të veprave penale të kryer nga punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht nga funksioni e grada, për vepra penale të konsumuara gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj”, si dhe “inspektimi i punës së të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit për përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi e standardet e kërkuara, për garantimin e përgjegjshmërisë, efektshmërisë dhe efikasitetit të tyre”.

Shërbimi organizohej në nivel Drejtorie e Përgjithshme, njësi buxhetore e pavarur me fond të posaçëm, i rëndësishëm për veprimtarinë hetimore e proceduriale. Statusi i punonjësit ishte i përcaktuar në ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Shërbimi kishte kompetenca informative, hetimore dhe inspektuese.

 

Periudha 2014 – 2021

Në bazë të Ligjit Nr. 70/2014 “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, SHÇBA ishte në varësi të Ministrit të Punëve të Brendshme, me pavarësi të plotë organizative, funksionale dhe menaxheriale.

Kishte kompetenca informative, hetimore, inspektuese dhe hetim administrativ e inspektim të ankesave. Kryente test të integritetit, analiza risku, jepte rekomandime, ndërsa personeli me gradë/pa gradë kishte atribute të policisë gjyqësore.

Gjatë kësaj periudhe, SHÇBA-së iu ngarkuan përgjegjësi të reja në lidhje me vetingun në polici, bazuar në ligjin Nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, përmes të cilit synohej ruajtja e integritetit të punonjësve të këtyre strukturave.

Risi ishte dhe krijimi i njësisë së Poligrafit, parashikuar nga Ligji Nr. 95/2016, “Mbi Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, i cili u krijua si Sektor i posaçëm pranë Drejtorisë së Vetingut në Shërbim.

 

Periudha 2021 – Aktualisht

Më datë 20 dhjetor 2021, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, një emërtesë që zëvendëson strukturën e SHÇBA, si pjesë e paketës ligjore për reformimin e strukturave të sigurisë.

Ndër risitë kryesore qe solli ky ligj, përmendim ndryshimin e emërtimit, kalimin në strukturë tërësisht civile, shmangien e konfliktit të interesit me subjektet që mbikëqyren, apo veprimtaria për pajisjen me certifikatë të sigurimit të personelit (CSP) të punonjësve të strukturave shtetërore dhe operatorëve ekonomikë privatë. Risi e këtij ligji është edhe e drejta e hetimit disiplinor, si pjesë e standardeve të EPAC-ut (Partnerët Europian Kundër Korrupsionit) dhe një prej rekomandimeve të ekspertëve të Programit ICITAP nga Ambasada e SHBA në Tiranë.

Gjithashtu, Agjencia ka përgjegjësinë për vlerësimin kalimtar e periodik të subjekteve bazuar në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar e periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Kryerja e ekzaminimit poligrafik, lindur si detyrim nga ligji Nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ku është parashikuar se një nga fazat e rekrutimit të personelit të BKH-së (Byrosë Kombëtare të Hetimit) është edhe ekzaminimi poligrafik, vjen si një përgjegjësi e shtuar në AMP.

Lajmet e Fundit

Denonco

0800 90 90

 
ankesa@shcba.gov.al