Hyn në fuqi ligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” (ish-SHÇBA)

Pas miratimit në Kuvend të ligjit “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” në dhjetor të vitit të shkuar, publikimit në Fletoren Zyrtare, ligji ka hyrë sot në fuqi, duke i hapur rrugë punës për draftimin e miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore që bëjnë të mundur implementimin e plotë të tij. Kështu, Shërbimi transformohet në Agjenci bashkëkohore në përputhje me standardet e Organizatës së Partnerëve Europian kundër Korrupsionit (EPAC).

Ligji është pjesë përbërëse e paketës ligjore të reformës në strukturat e sigurisë, nisur nga prioritetet e qeverisë për rritjen e parametrave të rendit e sigurisë publike, forcimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti, si dhe luftës kundër korrupsionit.

Rishikimi i ligjit dhe akteve nënligjore u gjykua si i domosdoshëm, jo vetëm bazuar në ndryshimet që kanë pësuar ligjet e tjera, por edhe në disa indikatorë të rëndësishëm, si: reforma në drejtësi, vettingu ndaj subjekteve, rikonceptimi me standarde i statusit të punonjësit dhe i gjithë Agjencisë, hapja e rrugës për investime në fushën e teknologjisë, krijimi i SPAK dhe BKH, e deri tek forcimi i integritetit të shërbimit për të plotësuar si duhet misionin mbikëqyrës.

Reformimi i institucionit, bazuar edhe në standardet europiane, nis qysh me futjen e konceptit të mbikëqyrjes në emërtimin e tij (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), duke i dhënë garanci qytetarëve se ka një strukturë të specializuar civile që mbikëqyr me metoda të ligjshme subjektet e saj (Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Shërbimi për Mbrojtjen nga Zjarri), të cilat në funksion të përmbushjes së misionit, të veprojnë në interes të respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në respekt të ligjit e Kushtetutës.

Në ndryshim nga ligji i mëparshëm, titullari i Agjencisë emërohet dhe lirohet nga Kryeministri, duke e unifikuar atë me titullarët e institucioneve të pavarura në varësi të ministrive dhe më e rëndësishmja, me drejtuesit e strukturave që mbikëqyr Agjencia.

Gjithashtu, bazuar në standardet e EPAC-ut dhe rekomandimet e ekspertëve të ICITAP, me hyrjen në fuqi të ligjit për AMP-në, i gjithë personeli i Agjencisë tashmë ‘zhvishet’ nga gradat, duke e bërë strukturën më të pranueshme në funksionin e mbikëqyrjes, të paanshme, transparente dhe objektive. Kalimi i personelit në strukturë civile shmang konfliktin e interesit me subjektet që mbikëqyr dhe përmirëson procesin e rekrutimit dhe motivimit të punonjësve të rinj.

Ligji i jep mundësi reformimit dhe transformimit të Agjencisë drejt një modeli më demokratik në aspektin e misionit, përcaktimit të detyrave funksionale, përgjegjësive, ndërtimit strukturor dhe trajtimit të personelit, por edhe rritjes së kapaciteteve inspektuese dhe hetimore të Agjencisë për një qasje proaktive ndaj fenomeneve korruptive, përmes parandalimit, zbulimit, dokumentimit të plotë ligjor të veprimtarisë së paligjshme të subjekteve të AMP-së, si edhe përmirësimit të infrastrukturës dhe forcimit të programeve teknologjike (IT) për t’iu përgjigjur dinamikës dhe kërkesave në rritje.

Gjithashtu, me hyrjen në fuqi të ligjit 128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, zgjerohet objekti i veprimtarisë, duke përfshirë vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve (Vetingu), veprimtarinë për pajisjen me certifikatë të sigurimit të personelit (CSP) të punonjësve të strukturave shtetërore si dhe operatorëve ekonomikë private, procesin e hetimit disiplinor të subjekteve dhe kryerjen e ekzaminimit poligrafik.

Aktualisht, vijon puna për draftimin e miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore, të cilat bëjnë të mundur implementimin e ligjit, nisur nga Rregullorja dhe struktura organike e deri tek një sërë udhëzimesh që normojnë veprimtarinë e AMP-së në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore, proces i cili duhet të përmbyllet brenda një afati kohor prej 6 muajsh.

#08009090AMP