Korçë – Më datë 29.01.2022, nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Elbasan-Korçë është bërë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë A. K., 55 vjeç, me gradën Inspektor dhe me detyrë trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Qafë Thanë, në DRKM Korçë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt, në gjendje të dehur”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Më datë 29.01.2022, rreth orës 19:15, në segmentin rrugor Pogradec-Librazhd, në vendin e quajtur Qafë Thanë, ka ndodhur një aksident rrugor me dëme material, ku automjeti “Opel”, i cili drejtohej nga punonjësi i policisë, A. K. është përplasur me automjetin “Wolksvagen” me drejtues shtetasin M. P.
Nga testimi me aparat Drager për përdorimin e alkolit, rezultoi se punonjësi i policisë drejtonte automjetin në gjendje të dehur, pasi në testin e parë rezultoi në masën 0.88 mlg/l dhe në testin e dytë 0.85 mlg/l.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Opel” dhe dokumentacioni përkatës, ndërsa materialet me veprimet e para hetimore i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.