Kukës – SHÇBA ekzekutoi vendimin “Arrest në burg” për 2 punonjës policie, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Kukës-Dibër ekzekutoi vendimin për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, si dhe urdhërit të Prokurorit për punonjësit e policisë:

 Nënkomisar F. Gj., specialist i Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Komisariatit të Policisë Tropojë, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës;

 Inspektor B.Rr., specialist i Seksionit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Komisariatit të Policisë Tropojë, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës.

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se në 27 janar, në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Kukës- Dibër, është paraqitur përfaqësuesi i një kompanie sigurimesh, i cili ka bërë kallëzim penal se në datë 16 janar 2021, është njoftuar nga një shtetas se ka ndodhur aksident në rrugën Tropojë – Lekbibaj, ku janë përplasur dy mjete. Shoferit i është thënë nga punonjësit e policisë, se fajtor është mjeti i siguruar tek kjo kompani sigurimi.

Pas materialit kallëzues u krye hetim administrativ për rrethanat e aksidentit dhe përcaktimin objektiv të fajtorit si dhe veprimet e punonjësve të policisë në raport me ngjarjen. Dyshohet se dy punonjësit e Policisë Rrugore kanë shpërdoruar detyrën e falsifikuan dokumentet.

Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për dy punonjësit e policisë.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për zbatimin e ligjit duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet për vendosjen përpara ligjit të punonjësve që abuzojnë me detyrën.

#08009090SHÇBA